Këngëtari i njohur i grupit Big Time Rush, Logan Henderson, përfundoi në spital pasi pësoi një dëmtim të rëndë në skenë gjatë një koncerti në Krakov të Polonisë. Incidenti ndodhi të enjten mbrëma, kur 36-vjeçari ishte duke performuar me energji së bashku me James Maslow, Carlos PenaVega dhe Kendall Schmidt gjatë këngës “Love Me Love Me”.
Sipas TMZ, Henderson rrëshqiti mbi një element skenik duke goditur fort gjurin, për pasojë duke i shkaktuar një plagë të thellë. Carlos PenaVega u përpoq të qetësonte publikun, duke i siguruar fansat se kolegu i tyre do të ishte në rregull. Më pas, Henderson publikoi në Instagram Stories një foto të plagës së përgjakur, duke konfirmuar se ndodhej në duart e mjekëve. Nga shtrati i spitalit, ai u kërkoi falje fansave që nuk mundi të përfundonte koncertin:
Hej, Krakov, faleminderit për një show fantastik. Më vjen keq që nuk munda të qëndroj deri në fund, por po argëtohesha pak shumë. E godita gjurin keq dhe më duhej të shkoja urgjentisht në spital. Ju dua shumë. Jam mirë, faleminderit që u interesuat.
Big Time Rush aktualisht ndodhen në mes të pjesës evropiane të Real Life Worldwide Tour, i cili ka nisur në korrik. Vetëm pak ditë më parë, Henderson kishte ndarë momente nga performancat e tyre në Gjermani, duke treguar entuziazmin për turneun. Dëmtimi i tij i fundit i shtohet një serie incidentesh të bujshme që kanë goditur artistë të tjerë këtë vit.




