Supermodelja Heidi Klum ka tërhequr edhe një herë vëmendjen me kostumin e saj të Halloween-it, duke zgjedhur një transformim sa të pazakontë, aq edhe realist. Këtë herë, ajo u shfaq e maskuar si një dorë gjigante e prerë, duke surprizuar të pranishmit me pamjen e saj.

Pas këtij krijimi qëndron artisti i efekteve speciale Mike Marino, së bashku me ekipin e tij ProRenFX. Ideja ishte propozuar nga vetë modelja rreth një vit më parë, ndërsa realizimi kërkoi disa muaj punë intensive.

Për të arritur një rezultat sa më të besueshëm, ekipi skanoi dorën e majtë të Heidi Klum dhe riprodhoi me detaje çdo element të saj, përfshirë venat, vijat e pëllëmbës, unazat dhe madje edhe tatuazhin me emrin e bashkëshortit të saj, Tom Kaulitz.

Transformimi përfundimtar i modeles kërkoi plot gjashtë orë përgatitje, ndërsa kostumi u kthye menjëherë në një nga më të komentuarit e mbrëmjes.

Por surprizat nuk përfunduan me pamjen e saj. Klum kishte menduar edhe për një problem praktik që mund të krijonte kostumi voluminoz: përdorimin e tualetit. Për të shmangur vështirësitë gjatë festës, modelja kishte veshur një pelenë poshtë kostumit.

Mike Marino është tashmë një bashkëpunëtor i njohur i Heidi Klum për krijimet e Halloween-it. Ai ishte autori edhe i kostumit të krimbit gjigant, me të cilin supermodelja u shfaq në vitin 2022.