Një punonjës pastrimi në qytetin Düzce të Turqisë është kthyer në shembull ndershmërie, pasi gjatë orarit të punës gjeti një çantë me ar, para dhe karta bankare, me vlerë rreth 3.5 milionë lira turke.
Fatih Cesur, punonjës i Drejtorisë së Pastrimit në Bashkinë e Düzces, ishte duke kryer punën e përditshme në lagjen Konuralp Çiftepınarlar, kur vuri re një çantë në anë të rrugës.
Pasi e kontrolloi, ai pa se brenda kishte një sasi të madhe ari, para cash dhe karta bankare. Në vend që ta mbante, Cesur njoftoi menjëherë përgjegjësit e turnit, të cilët më pas lajmëruan policinë.
Sipas mediave turke, në çantë ndodheshin 400 gramë ar shufër, 17 copë ar gram, 14 monedha çerek ari, 7 byzylykë, 2 monedha osmane, 998 lira cash dhe 3 karta bankare. Çanta iu dorëzua policisë, ndërsa autoritetet kanë nisur punën për identifikimin e pronarit dhe kthimin e sendeve me vlerë.
Fatih Cesur tha se dorëzimi i çantës ishte një detyrë qytetare dhe se ai bëri atë që duhej bërë. Gjesti i tij është vlerësuar gjerësisht në Turqi, duke marrë komente pozitive si një shembull i rrallë ndershmërie dhe përgjegjësie. Në një kohë kur lajmet për mashtrime dhe grabitje janë të shpeshta, veprimi i punonjësit të pastrimit ka sjellë një histori ndryshe, duke treguar se ndershmëria ende ka vend në shoqëri.

