Paris Hilton rikthehet pas 20 vitesh te albumi që shënoi debutimin e saj në muzikë. E njohur fillimisht si figurë televizive dhe trashëgimtare e familjes Hilton, ajo publikoi albumin e parë “Paris” në vitin 2006. Me rastin e dy dekadave nga publikimi, Hilton ka ndarë në Instagram fotografi dhe një video nga prapaskenat e krijimit të albumit, duke treguar se projekti mbetet i rëndësishëm për të.

“Njëzet vjet që nga albumi im debutues, ‘Paris’.

Ky album do të jetë gjithmonë kaq personal dhe kaq afër zemrës sime”, shkroi Hilton.

Ajo kujtoi edhe rëndësinë që pati muzika në shprehjen e një ane tjetër të saj, larg imazhit me të cilin ishte bërë e njohur në publik.

“Ishte një nga herët e para që ndjeva vërtet se gjeta zërin tim dhe isha në gjendje të ndaja me botën një anë krejtësisht të ndryshme të vetes”, u shpreh ajo.

Albumi “Paris” solli këngë si “Stars Are Blind” dhe “Nothing in This World” dhe mbetet projekti që shënoi kalimin e Hilton nga televizioni drejt muzikës.