Gazetari Bledi Strakosha ka rrëfyer për herë të parë në “Live From Tirana” detajet e përballjes së tij me një problem të rëndë shëndetësor, një aneurizëm cerebrale që rrezikoi jetën e tij në fund të gushtit.
Sipas tij, gjithçka nisi me një dhimbje koke shumë të fortë, e cila fillimisht u trajtua si një dhimbje e zakonshme.
“Ndjehej si një dhimbje koke shumë e fortë, pra që s’kisha përjetuar ndonjëherë”, tha gazetari.
Pasi ilaçet e zakonshme nuk dhanë rezultat, mjekët e QSUT-së i konfirmuan se kishte një problem serioz vaskular në tru, i njohur si tumor zgjerues i një ene gjaku, që rrezikonte të shkaktonte hemorragji cerebrale.
Strakosha shpjegoi se pas kësaj diagnoze iu desh të kryente një ndërhyrje urgjente. Ai tha se problemi lidhej me histori personale: kolesterol të lartë të diagnostikuar që në moshën 25-vjeçare dhe duhanpirjen, dy faktorë që kanë ndikuar në formimin e kësaj problematike vaskulare të quajtur aneurizëm.
Aktualisht, Strakosha ndodhet ende në trajtim me medikamente dhe pritet të kryejë një rezonancë magnetike kontrolli pas një muaji për t’u siguruar që gjithçka ka shkuar mirë. Ai u shpreh mirënjohës ndaj familjes, miqve dhe stafit mjekësor që e ndihmuan gjatë kësaj periudhe të vështirë.
