Bashkëshortja e aktorit legjendar Bruce Willis, Emma Heming Willis, ka folur hapur rreth ndikimit emocional që sëmundja e padiagnostikuar e burrit të saj pati në martesën e tyre, aq sa ajo mendoi për divorcin.

47-vjeçarja ka thënë për podkastin “The Oprah Winfrey” se ishte thellësisht e hutuar nga ndryshimet në personalitetin e 70-vjeçarit, shumë kohë para se të dihej diagnoza e tij. Bruce Willis vuan nga demenca frontotemporale (FTD) dhe kjo u zbulua në vitin 2023.

Ajo që në fillim dukej si ndryshime të vogla, harresa, sjellje e tërhequr dhe probleme komunikimi, shpejt u bë e pamundur të injorohej.

“Ai nuk po i kujtonte bisedat që kishim bërë”, shpjegoi Emma, duke shtuar: “Vlerat tona thjesht nuk dukeshin se përputheshin më”.

Për njëfarë kohe, Heming Willis mendoi se ato thjesht po largoheshin, dhe kur Oprah e pyeti nëse mendonte t’i jepte fund martesës, Emma tha se po, “100 për qind”.

Aktori i famshëm i Hollywood-it kishte qenë gjithmonë një bashkëshort dhe baba i përkushtuar, por Emma vuri re se diçka brenda tij kishte ndryshuar. Ndonjëherë, ajo pranoi se ndihej e frustruar dhe madje e zemëruar, duke menduar se shkëputja e tyre emocionale kishte të bënte me vetë marrëdhënien.

“Ishim kaq afër, dhe papritmas, ndjeva sikur gjithçka po shkatërrohej”, kujtoi 47-vjeçarja që më pas vijoi duke thënë: “Nuk e dija çfarë po ndodhte”.

Ndjesia e Emmës se diçka nuk shkonte vërtet, e shtyu të kërkonte ndihmë mjekësore – si për Bruce-in, ashtu edhe për veten si avokate e tij. Nuk ishte e lehtë ta bindte atë të pranonte testimin.

Ndërsa gjendja e Bruce-it përparonte, Emma mori vendimin zemërthyes për ta zhvendosur atë në një shtëpi të veçantë, njëkatëshe, me një ekip kujdesi të dedikuar.

Edhe pse jokonvencionale, kjo marrëveshje i lejon asaj të mbajë një mjedis të qëndrueshëm për vajzat e tyre, Mabel dhe Evelyn , ndërkohë që vazhdon ta vizitojë Bruce rregullisht për vakte dhe kohë cilësore.

Emma gjithashtu tregoi se, ndërsa dinamikat e martesës së tyre kanë ndryshuar, dashuria e saj për Bruce është thelluar.

“Nuk është e njëjta dashuri që kishim më parë. Është më e qetë, më e pranishme. Lidhja jonë është në një nivel tjetër tani, madje edhe qelizore”, tha ajo.