Koncerti i planifikuar për të premten i këngëtarit francez, Enrico Macias, në Stamboll, është ndaluar nga autoritetet turke. Shkak janë bërë thirrjet për protesta kundër artistit, i cili ka qëndrime pro-izraelite në luftën e Gazës.

86-vjeçari, me origjinë algjeriano-hebreje, ka mbrojtur vazhdimisht përgjigjen e Izraelit ndaj sulmit ndaj tij nga Hamasi më 7 tetor të vitit 2023.

“Gjithmonë kam kënduar për paqen midis hebrenjve dhe myslimanëve. Gjithmonë. Unë jam hebreu i parë që bashkon hebrenjtë dhe myslimanët”, tha ai në një intervistë me rrjetin francez Ledend që u transmetua në mesin e gushtit.

“Problemi im është se unë nuk e mbështes dhunën e terroristëve. (…) Dhe nëse ka pasur dhunë nga ana izraelite, kjo ishte për shkak të Hamasit”, shtoi këngëtari i njohur, duke sqaruar se nuk kishte “asgjë kundër palestinezëve”.

Ndërkohë kujtojmë se sulmi i pashembullt i nisur nga Hamasi më 7 tetor 2023, në Izraelin jugor, shkaktoi vdekjen e 1,219 personave, kryesisht civilë, sipas një llogaritjeje nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) bazuar në të dhëna zyrtare.

Nga 251 personat e rrëmbyer atë ditë, 47 mbeten në Rripin e Gazës, por 25 prej tyre janë shpallur të vdekur nga ushtria izraelite. Që atëherë, më shumë se 63,500 persona janë vrarë për shkak të operacioneve ushtarake izraelite në enklavën palestineze, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës të kontrolluar nga Hamasi.