Këngëtari i mirënjohur, Altin Goci, një nga figurat më të dashura të muzikës shqiptare që prej viteve ’90-të, ka hapur zemrën duke treguar më shumë rreth karrierës së tij muzikore dhe jetës së tij private.

I ftuar në ‘Galeri’ me Edi Manushin, Altini tregoi për dashurinë e tij të madhe për grupin ‘RITFOLK’ dhe kujtoj me mall këngën e tyre të parë që i ka bërë të famshëm.

“Unë e kam modestinë shumë të tepruar. Në kohën e sotme duhet të jesh i të gjithave. Unë bëj atë që di të bëj. E dashuroj profesionin tim. Ashtu si më vjen pa e menduar gjatë. Është edhe kjo dashuria e këtyre brezave që kanë jetuar në kohën time. ‘Sa dua të jem larg’ është kënga  e parë e RITFOLK që na bëri të famshëm. I kam shokë të pandarë këto këngë”, u shpreh ai.

Altin Goci foli edhe për prejardhjen e tij, duke ndarë edhe historinë e gjyshërve, të cilën sipas tij, kanë qenë komunistë ideal, në shtëpinë e të cilëve në Shkodër është themeluar edhe partia.

“Origjina ime vjen nga një prejardhje intelektuale. Jo më kot zgjodha gjyshin nga mami sepse nuk e kam njohur, me të tjerët jam rrit.

Bab Xhemali ka qenë tek aktivistët e grupeve të rinjve të Shkodrës. Bashkë me gjyshen kanë qenë të dy nga këta komunistë idealistë. Dhanë gjithçka për lëvizjen antifashiste. Te shtëpia e tyre është themeluar partia. Te shtëpia me shkallët, e 8 nëntorit të famshëm. Ata ishin qiraxhinj në atë shtëpi. Aty vinin komunistët dhe pinin verë. Ato shishet nuk i hidhte dot në plehra. Ato kanë ekzistuar edhe më vonë. Ajo i fuste në dhe, një lloj kamuflimi. Pas çlirimit patën ato pasojat e sistemit. Dajën e futën në burg dhe e internuan dhe ai vdiq në burg”, tregon Altini.