Pensioni i një gruaje që kishte ndërruar jetë në vitin 1988 vazhdoi të paguhej për dekada në Spanjë, ndërsa paratë përfunduan në duart e mbesës së saj. Rasti ka përfunduar në Gjykatën e Lartë spanjolle, e cila e dënoi gruan me dy vite burg dhe detyrimin për të kthyer 29.658 euro.

Sipas vendimit, pensioni vazhdonte të depozitohej në një llogari bankare të përbashkët të gjyshes dhe vajzës së saj, e cila ishte nëna e të dënuarës. Edhe pse gjyshja kishte vdekur në vitin 1988 dhe vajza e saj në vitin 2013, pagesat nuk u ndërprenë, pasi banka dhe Sigurimet Shoqërore nuk ishin informuar për vdekjen deri në dhjetor 2019.

Gjatë kësaj periudhe, mbesa përdori paratë përmes tërheqjeve në bankomat, transfertave dhe pagesave me kartë. Në total, në llogari u depozituan 61.834 euro, ndërsa banka i ktheu më vonë Sigurimeve Shoqërore mbi 39 mijë euro.

Fillimisht, dy gjykata në Asturias e kishin shpallur gruan të pafajshme, por vendimet u kundërshtuan nga Sigurimet Shoqërore. Gjykata e Lartë vlerësoi se gruaja ishte në dijeni që përfitonte para që nuk i takonin. Përveç dënimit, asaj i ndalohet për tre vite përfitimi i subvencioneve dhe disa lehtësive fiskale.