Këngëtarja e famshme, Jessie J, u dërgua me urgjencë në spital për shkak të një aksidenti të papritur. 37-vjeçarja ka ndarë me ndjekësit e saj detaje rreth ngjarjes që ndodhi gjatë kohës që ajo ndodhej në Kinë për turneun e saj të titulluar “No Secrets”.
Sipas rrëfimit të artistes, gjithçka nisi kur ajo goditi kokën fort brenda në makinë, një goditje kjo që shkaktoi frikë të madhe te këngëtarja dhe stafi i saj për një dëmtim serioz të shtyllës vertebrale, konkretisht me shqetësimin se mund të kishte thyer qafën.
Për shkak të rrezikut të lartë dhe dhimbjeve të forta, ylli i muzikës u detyrua t’i nënshtrohej menjëherë një ekzaminimi të hollësishëm me MRI të kokës për të verifikuar shkallën e lëndimit.
Ky kontroll ishte i domosdoshëm për të përjashtuar çdo traumë të brendshme që mund të rrezikonte vazhdimësinë e turneut apo shëndetin e saj afatgjatë. Edhe pse situata ishte mjaft stresuese, Jessie J u përpoq të qëndronte pozitive dhe të komunikonte hapur me fansat e saj përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
Ajo pranoi se do t’i duhet të përdorë qetësues dhimbjesh për të menaxhuar gjendjen, ndërkohë që shprehu dëshirën e saj të madhe për t’u rikthyer sa më parë në skenë.

