Një grabitje e organizuar në detaje ka ndodhur në një vilë në pronësi të familjes së tenorit të njohur italian Andrea Bocelli, në Forte dei Marmi, në provincën e Lucca-s, Itali.

Ngjarja është regjistruar gjatë natës mes 26 dhe 27 qershorit, në një kohë kur mjedisi ishte dhënë me qira për një familje amerikane që po kalonte pushimet në zonën e Versilias.

Sipas hetimeve paraprake, grabitësit kanë vepruar mes orës 21:00 dhe mesnatës, duke përfituar nga mungesa e familjes, që kishte dalë për darkë. Pasi hynë në banesë, autorët kontrolluan ambientet dhe morën një sasi të konsiderueshme sendesh me vlerë, mes tyre bizhuteri, orë luksoze, para në cash dhe çanta të markave të njohura.

Dëmi ekonomik ende nuk është llogaritur me saktësi, por vlerësimet e para flasin për një shumë që mund të arrijë deri në 500 mijë euro.

Hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë në vijim.

Nga verifikimet e kryera rezulton se dera e vilës nuk ishte mbyllur siç duhet dhe sistemi i alarmit nuk qe aktivizuar, rrethana që dyshohet se ua ka lehtësuar hyrjen grabitësve.

Familja Bocelli zotëron disa prona në zonën e Versilias, një pjesë e të cilave jepen me qira gjatë sezonit veror për turistë me standard të lartë.

Ndërkohë, autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe çdo provë tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryebashkiaku i Forte dei Marmi-t, Bruno Murzi, i cili shprehu keqardhje për grabitjen dhe theksoi se bashkia po merr masa për forcimin e sigurisë, përmes shtimit të patrullimeve, zgjerimit të rrjetit të kamerave të monitorimit dhe kërkesave për më shumë forca policore gjatë sezonit turistik.

Murzi iu bëri gjithashtu thirrje qytetarëve dhe pronarëve të banesave që të përdorin sistemet e alarmit dhe pajisjet e tjera të sigurisë për të parandaluar raste të ngjashme.