Aktorja britanike, Ambika Mod, ylli i serialit të famshëm të Netflix-it “One Day”, ka përsëritur se, pas suksesit të madh të serialit, mundësitë e saj në karrierë nuk mund të krahasohen me ato të bashkë-yllit të saj, Leo Woodall. Edhe pse ata luajtën rolin e një çifti romantik në serial, karrierat e tyre morën drejtime të ndryshme.

Woodall fitoi një rol në filmin ‘Tony’, një dramë biografike rreth shefit amerikan Anthony Bourdain, ndërsa Mod, siç thotë ajo, nuk hasi në të njëjtin nivel ofertash. Në rrjetet sociale, ajo ka theksuar më parë se aktoret me “ngjyrë tjetër lëkure”, pavarësisht popullaritetit të tyre, shpesh nuk kanë të njëjtat mundësi si kolegët e tyre të bardhë.

Duke folur për The Times, Mod tani ka thënë se nuk ka keqardhje për deklaratat e saj të mëparshme. “Nuk më vjen keq. Është thjesht e vërteta. Dhe ia thashë këtë Leos në fytyrë, nuk është asgjë personale, është një pasqyrim i industrisë dhe shoqërisë. Nëse je grua, nëse ke lëkurë më të errët dhe nuk ke lidhje në biznes, duhet të punosh dhjetë herë më shumë për të arritur gjysmën e asaj që duhet. Fatkeqësisht, ky është realiteti”-tha 29-vjeçarja.

Rikujtojmë që seriali i Netflix-it, One Day, u bë një nga hitet më të mëdha të vitit, duke fituar shikuesit në të gjithë botën me historinë e tij emocionale.