E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë gazetarja Alba Alishani. Që nga ana profesionale e po ashtu në atë personale, Alba ka bërë një rrëfim të sinqertë e të patreguar më parë.

Ronaldo: Ju do e ftonit zonjën Duma në programin tuaj?

Alba: Unë e kam ftuar zonjën Duma dhe e kam patur prej kohësh në programin tim. Edhe së fundmi ajo ka marrë tashmë një ftesë dhe do të jetë së shpejti. Ne kemi një njohje të hershme me zonjën Duma.

Ronaldo: Erla Mëhillin e keni ftuar?

Alba: Edhe Erlën.

Ronaldo: Kush të pëlqen më shumë në prime-time politik, Grida Duma apo Erla Mëhilli?

Alba: Tani jam në konflikt të drejtpërdrejtë interesi. Unë me të dyja zonjat ndaj një marrëdhënie jo vetëm profesionale, por dhe personale dhe njohje prej kohësh e prej vitesh. Kjo nuk është servilosje, por konflikt i pastër interesi sepse unë nuk i njoh vetëm profesionalisht zonjat, i njoh edhe nga ana njerëzore dhe jam pak subjektive.

Ronaldo: Në darkë në shtëpi, kë shikon?

Alba: Kur ulem në darkë në shtëpi, nuk shikoj asnjërën. Më kërkove sinqeritet dhe guxim…

Ronaldo: Po kush të pëlqen më shumë në politikbërjen në ekran?

Alba: Ato janë dy zonja të respektuara që profesionalisht qëndrojnë shumë lart dhe në vite kanë arritur ta perfeksionojnë punën që bëjnë.

Ronaldo: ke frikë të japësh një përgjigje?

Alba: Absolutisht nuk kam frikë, por jam subjektive, nuk mund të jem reale, sepse me të dyja zonjat kam njohje shumë të hershme dhe marrëdhënie njerëzore.

Ronaldo: Kë sheh si konkurrente në ekran?

Alba: Unë nuk shoh konkurrencë me asnjërën prej zonjave, sepse jam e ndryshme. Nuk janë në marzhin e konkurrencës sime sepse jemi të ndryshme, karakterialisht si figura në ekran nuk prezantojmë të njëjtin model. Por nuk i kam konkurrente. Nuk them që jam më e mirë, jam e ndryshme. Mund të jem dhe më e keqe, në momente të caktuara mund të jem dhe më pak e vlerësuar profesionalisht, por jam e ndryshme. E di që nuk ngatërrohem dot në momente të caktuara se mund t’i përngjasoj njërës apo tjetrës. Nuk kemi elementë të përbashkët me asnjërën nga zonjat.

Ronaldo: Nëse në të njëjtën ditë të jepet ftesa për të shkuar në “Top Story” tek Grida Duma apo në studion e Erla Mëhillit, kë do të zgjidhje ti?

Alba: Erla Mëhilli fillon në një orë tjetër, fillon më herët, në orën 20:00. Kështu që do ta nisja me Erlën dhe do ta vazhdoja me Gridën.

Ronaldo: Po nëse fillojnë në të njëjtën orë?

Alba: Për fatin tënd të keq unë e kam gati përgjigjen dhe e kam krejtësisht formale. Unë kam shkuar tek të dyja zonjat. Tek zonja Mëhilli për hir të miqësisë, por në rastin e zonjës Duma ne kemi një marrëdhënie kontraktuale bashkë. Do të thotë që ne bashkëpunojmë dhe unë i përgjigjem sigurisht marrëdhënies kontraktuale para marrëdhënies miqësore kur flasim për një emision televiziv.