Një zhvillim i pazakontë ka ndodhur në Bahamas, ku burri i një gruaje të zhdukur në det ka rënë vetë në ujë gjatë momentit që po transportohej nga policia pas arrestimit të tij. Brian Hooker, 59 vjeç, i cili po merret në pyetje për zhdukjen e bashkëshortes së tij Lynette Hooker, ka përfunduar në det teksa ishte i prangosur në një varkë policie.
Sipas avokatit të tij, incidenti ndodhi për shkak të dallgëve të forta që goditën mjetin lundrues, duke bërë që ai të humbte ekuilibrin dhe të binte në ujë. Hooker mbante jelek shpëtimi dhe u nxor menjëherë nga policia, ndërsa pësoi vetëm disa lëndime të lehta në gjunjë dhe gërvishtje, për të cilat mori trajtim në spital.
Ngjarja ndodhi një ditë pasi ai u arrestua në lidhje me zhdukjen e gruas së tij, e cila dyshohet se ka rënë nga një varkë e vogël gjatë natës dhe është marrë nga rrymat e forta të detit.
Vetë Hooker ka deklaruar se bashkëshortja ra në ujë duke mbajtur çelësin e motorit, çka bëri që varka të ndalej, ndërsa ai u përpoq më pas të kthehej në breg me mjete rrethanore.
Megjithatë, vajza e gruas së zhdukur ka ngritur dyshime, duke pretenduar se çifti kishte probleme të vazhdueshme dhe se burri kishte shfaqur sjellje agresive në të kaluarën. Autoritetet vijojnë kërkimet për gjetjen e gruas, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në zhvillim.

