Këngëtari i famshëm, Maluma, ka ndërprerë koncertin e tij në Meksikë, pasi pa një nënë që mbante fëmijën e saj 1-vjeçar në krah pa mbrojtëse për veshët.
Në videon e filmuar nga të pranishmit, 31-vjeçari shihet teksa ndalon performancën dhe kritikon nënën për pakujdesinë e saj.
“A mendoni se është ide e mirë që fëmija juaj 1-vjeçar të shkojë në një koncert ku decibelët janë tepër të lartë? Foshnja as nuk e di çfarë po bën këtu”, dëgjohet të thotë artisti.
“Herën tjetër, mbroji veshët e tij. Vërtet. Është shumë e rëndë për fëmijën. Kjo është përgjegjësia jote”, vazhdoi këngëtari, i cili është gjithashtu baba i një vajze 1-vjeçare.
“Po e tund majtas e djathtas sikur të ishte lodër. Kjo foshnjë nuk do të jetë këtu. Po ta them me gjithë dashurinë dhe respektin tim, tani që jam baba… nuk do ta çoja kurrë në një koncert. Herën tjetër, ji më vigjilent”, përfundoi Maluma, me turmën që e duartrokiste për reagimin e tij.