Një dasmë është shndërruar në një përleshje masive mes familjarëve të nuses dhe të dhëndrit, pasi në këndin e ëmbëlsirave kishte mbaruar një lloj i tyre.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në qytetin Bodh Gaya, në shtetin Bihar të Indisë. Mediat vendase shkruajnë se gjithçka nisi kur të afërmit e nuses vunë re mungesën e ëmbëlsirës tradicionale “rasgulla” dhe shprehën pakënaqësinë e tyre.

Debati verbal u përshkallëzua me shpejtësi, duke kaluar në dhunë fizike. Ndërkohë pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë mysafirët duke u goditur me grushte, shqelma dhe duke hedhur karrige brenda sallës së dasmës, duke e kthyer ceremoninë festive në kaos të plotë.

Babai i nuses, Suresh Prasad, ka deklaruar se situata u përkeqësua edhe për shkak të pretendimeve për kërkesa shtesë të dhëndrit lidhur me pajën. Ai tha se disa persona nga pala e nuses janë lënduar dhe se është depozituar kallëzim në policinë lokale.

Nga ana tjetër, babai i dhëndrit mohoi akuzat për pajë, duke këmbëngulur se sherri nisi vetëm për mungesën e ëmbëlsirave dhe jo për çështje financiare. Ai shtoi se familja e tij dëshiron ende që martesa të realizohet, por pala e nuses ka refuzuar vazhdimin e ceremonisë.

Policia e Bodh Gaya-s ka konfirmuar se ka persona të lënduar nga të dyja palët dhe se hetimet për ngjarjen janë në vijim.

Ngjarja ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave, duke u kthyer në një shembull të pazakontë se si një detaj i vogël mund të shkaktojë incidente të rënda gjatë ceremonive martesore.