Një familje prej 9 anëtarësh është cilësuar si ‘profesioniste’ e skemës së njohur ‘ha dhe ik pa paguar’. Së fundmi, familja në fjalë është filmuar nga kamerat e sigurisë duke u arratisur nga një restorant turk në Hatfield, Hertfordshire të Britanisë së Madhe. E nuk ka paguar faturën prej 180 eurosh.
“Daily Mail” shkruan se familja, e përbërë nga 5 të rritur dhe 4 fëmijë, konsumoi një sërë gatimesh me mish, brinjë qengji, birra dhe pije freskuese në restorantin “Turkish Kitchen”, përpara se të hipte në një furgon të bardhë dhe të zhdukej.
Menaxheri i restorantit, Klaus Ademi, ka thënë se familja dukej krejtësisht normale dhe nuk ngjalli asnjë dyshim, pasi nuk bëri porosi të tepruara. Kur erdhi momenti për të paguar, ata i thanë stafit se do ta shlyenin faturën “brenda një minute”.
Ndërkohë pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se largimi i tyre ishte i organizuar. Anëtarët e familjes nisën të dilnin nga restoranti njëri pas tjetrit, duke ecur qetësisht drejt anës tjetër të rrugës, çka sipas përgjegjësit të restorantit ishte pjesë e një plani të mirëorganizuar.
I fundit që mbeti në tavolinë ishte një burrë i veshur me një bluzë blu. Pasi mbeti vetëm, ai u ngrit dhe u largua edhe vetë, për t’u hipur më pas në një furgon të bardhë të parkuar menjëherë jashtë hyrjes së restorantit.
Stafi e kuptoi largimin e klientit të fundit, por derisa punonjësit verifikuan nëse dikush nga grupi kishte paguar faturën, furgoni ishte zhdukur.
Klaus Ademi, i cili punon në biznesin familjar prej shtatë vitesh, publikoi pamjet e kamerave të sigurisë në rrjetet sociale për të paralajmëruar bizneset e tjera të zonës. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se do ta denoncojë ngjarjen në polici.
“Nuk na kishte ndodhur kurrë diçka e tillë”, tha menaxheri i restorantit, duke shtuar: “Ky është një biznes familjar dhe kjo humbje është e konsiderueshme, sidomos në një periudhë kur restorantet po luftojnë për të mbijetuar”.
