Luis Hamilton ka dalë personalisht në mbështetje të popullsisë së Gazës, duke kërkuar ndihmë dhe ndërgjegjësim. Piloti i Ferrarit njoftoi me anë të një “InstaStory” në “Instagram”, ku ka mbi 40 milionë ndjekës, se ka dhuruar fonde për tre organizata që “punojnë pa u lodhur për të ndihmuar ata që kanë nevojë”.

“Është e vështirë të mos ndihesh i pafuqishëm përballë një tragjedie kaq të madhe, por nuk mund të rrimë pa bërë asgjë”, shkroi piloti britanik. “Ka disa organizata të jashtëzakonshme që po bëjnë një punë të mrekullueshme për të ndihmuar popullin palestinez dhe kanë nevojë për fonde për të vazhduar këtë punë”, vijoi Hamilton. Piloti i Ferrarit më tej shtoi: “Situata në Gaza po përkeqësohet dita-ditës. Në dy vitet e fundit, mbi 10% e popullsisë është vrarë ose plagosur, përfshirë dhjetëra mijëra fëmijë, dhe ky numër vazhdon të rritet.

Sulmi i fundit në Gaza ka detyruar qindra mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa spitalet në të gjithë Rripin janë të mbushur me të plagosur dhe me njerëz që vuajnë nga uria, për shkak të bombardimeve që duket se nuk kanë fund. Sot një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara e ka përshkruar atë që po ndodh në Gaza si një gjenocid. Si qenie njerëzore, nuk mund të rrimë të shikojmë dhe të lejojmë që kjo të vazhdojë”, përfundoi Hamilton.