Dy aktorët e njohur të humorit, Visjan Ukcenaj dhe Cubi Metkaj, të ftuar në studion e “Wake Up”, kanë zbuluar se më 14 nëntor do të vijnë së bashku me një emision në Top Albania Radio.

“Hap Ç’ju” është emisioni me plot risi dhe humor, me të ftuar në studio njerëz të thjeshtë të përditshmërisë sonë, personazhe jo VIP. Nuk do të mungojnë telefonatat me personazhe të ndryshme nga dy aktorët tanë të humorit.

“Hap Ç’ju” sjell aktualitetin, argëtimin, të qeshurat, si dhe gafat nga emisionet e ndryshme në televizion, ashtu siç nuk i keni parë ndonjëherë.

Aktorët e “Portokallisë” zbuluan se emisioni i tyre do të nisë të enjten në orën 18:00 në Top Albania Radio.

Pjesë nga intervista në “Wake Up”:

Çfarë mund të na zbuloni për “Hap Ç’ju” dhe pse ky titull?

Cubi: Ky është një format që e kemi pasur në mend ta bëjmë shumë kohë më përpara, por erdhi tani koha. Ka shumë rubrika. Do të jetë 120 minuta, por një ritëm të shpejtë do ta ketë…

Visjani: Titulli “Hap Ç’ju” është simbolikë që do ta shtjellojmë dhe më tej gjatë emisionit. Koncepti është që çfarë ke brenda ta nxjerrësh, mos ta mbash teshtimën se të dëmton. Teshtima është një proces i shëndetshëm për njeriun (qesh).

Si lindi ideja?

Cubi: Ne kemi dashur të bëjmë një emision në radio që më herët, ishte ideja e Visjanit. Po kërkonim një gjë tonën dhe duke folur, duke hedhur ide, lindi ky bashkëpunim me Top Albania Radio.

Si do të jetë përmbajtja e “Hap Ç’ju”?

Visjani: Top Albania Radio ka pafund emisione dhe njerëz që punojnë. Një ndër gjërat kryesore është sfida për të mos përsëritur gjëra. Do të ketë telefonata me personazhet, që këtë herë u shtohet dhe Cubi, si qytetarë që kanë halle të ndryshme. Do të jetë ubrika ‘Anti-Top’, që do të ketë gafa ose sarkazëm nga emisionet e Top Media. Nëse ata gabojnë, për ne është material (qesh). Një rubrikë intertesante është ‘Na plasi VIP-i’, që ka në thelb çdo gjë që ndodh jashtë VIP-ave, të marrim njerëz të thjeshtë që kanë diçka për të treguar në emision. Do jemi me konceptin që VIP-at për ne janë njerëzit e thjeshtë.

Cubi: VIP-a nuk do të ketë, kjo është pak por e sigurt. Kemi bërë një gjetje interesante. I kemi parë VIP-at, i njohim ata, kështu që dalim tek përditshmëria jonë, në realitetin e përditshëm.