Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në SHBA, pasi autorja e librave për fëmijë Kouri Richins është shpallur fajtore për vrasjen e bashkëshortit të saj, në një skemë të planifikuar për përfitime financiare dhe një jetë të re me të dashurin.
Sipas vendimit të gjykatës në Utah, 35-vjeçarja helmoi bashkëshortin e saj Eric Richins duke i përzier në pije një dozë shumëfish më të lartë se vdekjeprurëse të një opioidi sintetik. Ngjarja ndodhi në mars të vitit 2022, ndërsa hetimet zbuluan se ajo kishte tentuar ta helmonte edhe më herët.
Prokuroria argumentoi se motivi kryesor ishte përfitimi financiar, pasi ajo priste të përfitonte miliona dollarë nga pasuria e bashkëshortit. Në të njëjtën kohë, ajo kishte një lidhje me një tjetër person dhe planifikonte të niste një jetë të re larg familjes. Gruaja publikoi një libër për fëmijë mbi përballimin e humbjes së një prindi, duke u paraqitur si një nënë e përkushtuar që ndihmonte fëmijët e saj të përballonin dhimbjen.
Gjatë gjyqit, juria arriti në vendimin e fajësisë brenda vetëm pak orësh, pas një procesi që zgjati disa javë. Ndaj saj rëndojnë akuza për vrasje të rëndë, tentativë vrasjeje, mashtrim financiar dhe falsifikim dokumentesh.
Hetimet zbuluan gjithashtu kërkime në internet për doza vdekjeprurëse të substancave dhe mënyra se si mund të maskohej helmimi, duke forcuar dyshimet për një plan të paramenduar. Tashmë, ajo përballet me një dënim të gjatë me burg.





