Autoritetet britanike kanë arrestuar në Londër Zulma Guzman Castro, një biznesmene 54-vjeçare e kërkuar nga drejtësia kolumbiane për vrasjen e dy vajzave të mitura. Arrestimi vjen pas një ndjekjeje ndërkombëtare që nisi pasi ajo u largua nga Kolumbia vitin e kaluar.

Sipas hetimeve, Castro dyshohet se helmoi 14-vjeçaren Ines de Bedout dhe 13-vjeçaren Emilia Forero me çokollata me shije mjedre, në të cilat ishte injektuar thallium, një substancë jashtëzakonisht toksike. Të dyja vajzat ndërruan jetë disa ditë pas konsumimit të çokollatave, ndërsa Castro i ka mohuar akuzat.

Gruaja ishte gjetur më herët në zonën e Battersea Bridge në Londër dhe për arsye sigurie, ishte shtruar në një institucion psikiatrik, ku ndodhej nën vëzhgim mjekësor. Pas një vlerësimi të mëtejshëm shëndetësor, autoritetet dhanë dritën jeshile për lirimin e saj nga institucioni, çka çoi në arrestimin formal nga Njësia Kombëtare e Ekstradimeve e National Crime Agency.

Castro u shoqërua në një komisariat policie dhe më pas u dërgua në Westminster Magistrates’ Court, ku pritet të zhvillohet seanca e parë për ekstradimin e saj drejt Kolumbisë. Autoritetet konfirmojnë se ajo ishte tashmë nën urdhër arresti dhe se hyrja e saj në Mbretërinë e Bashkuar ishte identifikuar përmes të dhënave të fluturimit nga Madridi në nëntor.

Policia kolumbiane ka bërë të ditur se helmimi i dy vajzave mund të ketë qenë një akt hakmarrjeje, i lidhur me një marrëdhënie të dështuar që Castro kishte pasur me babanë e njërës prej viktimave.