Hande Erçel, së cilës i ishte lëshuar një urdhër ndalimi për përfshirjen e saj në një rast droge, u kthye në Stamboll për të dëshmuar para autoriteteve.

Aktorja e njohur, e cila ndodhej jashtë vendit për studime, mbërriti në Turqi dhe shkoi direkt në Gjykatën e Çaglajanit të Stambollit, ku dha një deklaratë para prokurorit. Pas përfundimit të procedurës, Erçel u dërgua në Shërbimin e Mjekësisë Ligjore (ATK) për analiza toksikologjike, ku iu morën mostra gjaku dhe flokësh.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo kishte njoftuar kthimin e saj, duke theksuar se dëshironte që çështja të sqarohej menjëherë.

“Për shkak të arsimimit tim, kam qenë jashtë vendit për rreth një muaj. Mbrëmë, ashtu si ju, mësova nga mediat për çështjen aktuale dhe do të kthehem në vendin tim për të bërë sqarimet e nevojshme dhe për të dëshmuar. Unë jam një person që e do vendin e tij dhe i beson shtetit dhe drejtësisë turke. Besoj se situata do të sqarohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

Hetimi po kryhet nga Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit dhe ka të bëjë me një total prej 16 të dyshuarish, të cilët dyshohet se kanë poseduar narkotikë për përdorim personal ose kanë lehtësuar përdorimin e tyre.

Si pjesë e operacionit, u kryen bastisje të njëkohshme në 16 vende në qytet, duke rezultuar në arrestimin e 14 personave, ndërsa u lëshuan urdhra ndalimi për dy persona, përfshirë Ercelin.