Lavinia dhe Michelle kanë ndarë gjithmonë gjithçka: të njëjtën ditëlindje, të njëjtin bark, të njëjtën jetë të vështirë që nga fëmijëria. Por në moshën 45-vjeçare, një test ADN-je rrëzoi gjithçka që mendonin se dinin për veten.
Rezultatet zbuluan diçka që nuk ishte dokumentuar më parë në Britani: ato janë binjake të lindura nga e njëjta nënë, por me baballarë të ndryshëm, shkruan BBC.
Ky fenomen, jashtëzakonisht i rrallë, ndodh kur një grua lëshon më shumë se një vezë gjatë të njëjtit cikël dhe fekondohet nga dy partnerë të ndryshëm. Në botë janë regjistruar më pak se 20 raste të tilla.
Për dy motrat, zbulimi ishte tronditës. Michelle kishte dyshime prej kohësh për identitetin e babait të tyre, ndërsa Lavinia kishte besuar gjithmonë versionin e nënës. E vërteta doli në dritë në mënyrën më të papritur: pak orë pas vdekjes së nënës së tyre, kur rezultatet e ADN-së mbërritën në telefon.
Ajo që pasoi ishte një përballje e dhimbshme me të shkuarën: një fëmijëri mes mungesës, zhvendosjeve dhe një historie familjare të ndërlikuar, që ngriti pyetje të reja për jetën e nënës së tyre dhe rrethanat në të cilat ato u konceptuan.
Sot, Lavinia dhe Michelle mbeten të lidhura si kurrë më parë — binjake, por edhe gjysmë-motra.
Një histori që sfidon jo vetëm biologjinë, por edhe mënyrën se si e kuptojmë familjen dhe identitetin.




