Artistja e muzikës “Country”, Dolly Parton ndërroi jetë ditën e djeshme pas një beteje të gjatë me kancerin.  Këngëtarja ishte e njohur për breza të ndryshëm, falë dhe hitit legjendar “Jolene” që të gjithë e njohin.

Kënga u publikua në vitin 1973 dhe shpejt do të shndërrohej në një nga hitet më ikonike të karrierës së saj dhe një prej këngëve më të njohura në historinë e muzikës country. Me një tekst emocional, Parton rrëfen historinë e një gruaje që i lutet një tjetër gruaje të bukur dhe joshëse të mos ia marrë burrin. Por pas historisë së “Jolene” fshihet një episod real nga jeta e këngëtares.

Dolly Parton ka treguar se frymëzimi për këngën erdhi nga dy histori të ndryshme. E para lidhej me një vajzë të vogël që ajo takoi pas një koncerti. Vajza, rreth 8 vjeçe, kishte flokë të kuq, sy të gjelbër dhe një emër që i mbeti në mendje këngëtares.

“Një natë, isha në skenë dhe aty ishte kjo vajzë e vogël, e bukur. Ajo kishte flokë të kuq të bukur, lëkurë të bukur, sy të bukur të gjelbër dhe po më shikonte, duke mbajtur një autograf. E pyeta: ‘Si quhesh?’ Dhe ajo tha: ‘Jolene’. I thashë: ‘Jolene, Jolene, Jolene… kjo është e bukur. Tingëllon si një këngë. Do të shkruaj një këngë për të’”, ka rrëfyer Parton për NPR.

Por frymëzimi i dytë ishte shumë më personal. Në vitet e para të martesës me Carl Dean, Parton kishte vënë re se bashkëshorti i saj kalonte shpesh në një bankë, ku punonte një grua flokëkuqe që, sipas këngëtares, kishte një pëlqim për të. Situata nuk shkoi më tej, por mjaftoi për të nxitur xhelozinë e Parton dhe, më vonë, për t’u shndërruar në një prej këngëve më të famshme të saj.

“Kënga ishte e bazuar në pak histori të vërtetë. E shkrova vite më parë kur im shoq po kalonte pak më shumë kohë me një vajzë sesa mendoja se duhej”, ka rrëfyer Parton në vitin 2014.

Ajo ka treguar gjithashtu me humor se Dean e kishte kthyer bankën në një destinacion të shpeshtë, pasi punonjësja i kushtonte shumë vëmendje.

“Ishte një lloj shakaje mes nesh dhe i thashë: ‘Dreqi ta marrë, ti kalon shumë kohë në bankë. Nuk mendoj se kemi aq shumë para’”, kujtoi Parton në një intervistë për NPR në vitin 2008.

Megjithatë, historia e “Jolene” nuk ishte thjesht një moment xhelozie. Ajo u shndërrua në art dhe në një këngë që, më shumë se pesë dekada pas publikimit, vazhdon të interpretohet dhe të dëgjohet në të gjithë botën.