Nga një fëmijëri e vështirë në periferi të Stambollit, ku u detyrua të linte shkollën në moshë shumë të re për të ndihmuar familjen, Nusret Gökçe nisi rrugëtimin e tij si kasap i thjeshtë, duke bërë punët më të rënda në kuzhinat e shtëpive të biftekëve.

Me kalimin e viteve, pas shërbimit ushtarak dhe një udhëtimi të guximshëm në Argjentinë për të mësuar më shumë rreth mishit, ai hapi restorantin e tij të parë në Stamboll, duke hedhur themelet e një perandorie që shumë shpejt do të zgjerohej në Turqi dhe Lindjen e Mesme.

Gjithçka ndryshoi në vitin 2017, kur një video e tij duke erëzuar biftekun në stilin karakteristik u bë virale në rrjetet sociale, duke e kthyer Nusretin në fenomen global dhe duke i hapur dyert e tregut amerikan dhe europian.

Sot, i njohur në mbarë botën si “Salt Bae”, Nusreti zotëron dhjetëra restorante luksoze, frekuentohet nga yjet më të mëdhenj të kinemasë dhe sportit, dhe përfaqëson historinë klasike të suksesit nga hiçi në majë. Restoranti i Salt Bae, regjistroi një humbje prej 6.38 milionë eurosh vitin e kaluar. Nusret Gokçe, është i njohur për çmimin e tij prej mijëra eurosh për një biftek dhe spërkatjen me kripë në stilin e tij karakteristik. Edhe pse restoranti i tij kryesor në Knightsbridge të Londrës ka pritur yje si David Beckham dhe Cristiano Ronaldo dhe ka gjeneruar të ardhura prej rreth 11.6 milionë euro, kompania raportoi një humbje të konsiderueshme për vitin 2024.

Humbja ishte rezultat i një rivlerësimi të aseteve të kompanisë në SHBA, gjë që i kushtoi asaj rreth 6.96 milionë euro. Meqenëse dega amerikane e Nusr-Et është në pronësi të plotë të një kompanie britanike, zhvlerësimi i aseteve ndikoi drejtpërdrejt në pasqyrat financiare. Në kulmin e saj, marka kishte shtatë restorante në të gjithë SHBA-në. Megjithatë, Nusr-Et tani ka vetëm dy restorante pas mbylljes së një restoranti në Beverly Hills në fillim të këtij viti.