Një histori prekëse ka tronditur Mbretërinë e Bashkuar, pasi ka ndërruar jetë në moshën vetëm 24-vjeçare Andre Yarham, i njohur si pacienti më i ri me demencë në vend. I riu humbi jetën më 27 dhjetor, vetëm pak ditë pas Krishtlindjeve.
Andre, nga Dereham në Norfolk, u diagnostikua në moshën 22-vjeçare me demencë frontotemporale, një formë jashtëzakonisht e rrallë e sëmundjes që shkaktohet nga një mutacion proteinik dhe prek vetëm një numër shumë të vogël pacientësh. Skanimet mjekësore treguan se truri i tij kishte karakteristika të ngjashme me atë të një personi 70-vjeçar, vetëm pak javë para se të mbushte 23 vjeç.
Nëna e tij, Sam Fairburn, e përshkroi Andre si një djalë me zemër të artë, duke rrëfyer se shenjat e para u shfaqën në vitin 2022, kur ai filloi të fliste dhe të lëvizte më ngadalë, shpesh duke humbur përqendrimin dhe reagimin ndaj njerëzve përreth.
Me përparimin e sëmundjes, Sam u bë kujdestare me kohë të plotë për të birin, duke e ndihmuar në veprimet më bazike të përditshmërisë. Gjatë muajve të fundit, gjendja e Andre u përkeqësua ndjeshëm, duke humbur të folurin, aftësinë për të ushqyer veten dhe, në fund, edhe vetëdijen për praninë e familjarëve.
Në gjashtë muajt e fundit të jetës, ai u shtrua fillimisht në spital për shkak të një infeksioni, çka shënoi fillimin e një rënieje të shpejtë shëndetësore. Më pas u transferua në Priscilla Bacon Lodge Hospice, ku ndërroi jetë pas pak më shumë se një jave.
Familja e Andre mori vendimin fisnik për të dhuruar trurin e tij për kërkime shkencore, me shpresën se rasti i tij mund të ndihmojë në kuptimin dhe trajtimin e demencës në moshë të re.



