Një histori tronditëse po hetohet mes Italisë dhe Egjiptit, pas vdekjes së 27-vjeçares Erika Squillace, e cila ndërroi jetë më 20 gusht 2025 në një spital në Aleksandri, vetëm pak javë pas martesës me bashkëshortin e saj egjiptian. Nëna e saj, Tiziana Quattrocchi, ka bërë kallëzim penal dhe akuzon dhëndrin për neglizhencë të rëndë dhe vendime që, sipas saj, i kushtuan jetën vajzës. Ajo thotë se Erika kishte shkuar në Egjipt për të njohur familjen e bashkëshortit, ndërsa kishte dyshime për një shtatzëni të mundshme, por ende pa konfirmim të plotë mjekësor.

Sipas dëshmisë së nënës, pas një vizite mjekësore në Egjipt, Erikës iu rekomandua një medikament i fuqishëm për të ndërprerë një shtatzëni të dyshuar. Ajo pretendon se ilaçi iu administrua në kushte shtëpie dhe në dozë të gabuar, çka solli përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore të vajzës.

Gjendja e 27-vjeçares u rëndua dita-ditës, ndërsa familjarët pretendojnë se ndihma spitalore u vonua dhe se në vend të reagimit urgjent pati vonesa të pajustifikueshme. Erika u dërgua më pas në terapi intensive në Aleksandri, por nuk arriti të mbijetonte.

Autoritetet italiane kanë sekuestruar telefonin e së resë dhe kanë nisur verifikimet për të rindërtuar ditët e fundit të jetës së saj. Sipas medias italiane, pritet edhe zhvarrimi i trupit për ekzaminime të mëtejshme mjeko-ligjore. Hetimet synojnë të zbardhin nëse bëhet fjalë për neglizhencë fatale apo përgjegjësi penale konkrete.