Ish-konkurrentja e “Për’puthen +40”, Stela Nikolla, ishte një ditë më parë e ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon. Ajo tregoi se ka fituar betejën me sëmundjen e kancerit në gji.
Stela rrëfeu se momenti më i vështirë ka qenë periudha e kemioterapisë, pasi nuk e dinte se çfarë do të ndodhte, nuk e njihte trupin e saj. Por shton se pas kemioterapisë, ndodh diçka e çuditshme pasi çdo qelizë krijohet e re.
Nikolla ka hequr të dy gjinjtë dhe ka treguar se pas operacionit ka patur probleme pasi protezat nuk pajtoheshin me trupin e saj, si dhe ka patur hemorragji.
“Ishte e pamundur, doja gjoksin tim, ai gjoksi që ka ushqyer vajzën time, edhe pse nuk ishte ai perfekti, unë jam tek ato gjërat natyrale. E këtë gjë e vuajta shumë dhe e ndjej ndonjëherë sikur nuk është pjesë e trupit tim, por që këto janë dramatizime kot, sepse arrita atë që doja, unë ndihem femër dhe ndihem mirë”, u shpreh Stela Nikolla.
Pjesë nga intervista:
Bieta: 6 muaj kemioterapi
Stela: Pastaj ai rikuperimi 1 muaj duket si një çlirim. 1 muaj duhej që të bëja ndërhyrjen, pasi e dimë se kemioterapia ka efektet anësore
Bieta: Ça ndodhi me ty? Si e përballove?
Stela: Kemioterapia ishte për mua tamam ai ferri që ti futeshe, e nuk e dije ça do ndodhte, nuk e njihje më trupin tënd, veten tënde, do isha apo nuk do isha pas asaj seance. Por që arrita dhe me veten time që ta luftoja këtë gjë. Herën e parë ishte shumë e çuditshme, herën e dytë e dija se ça do ndodhte, doktoresha më thoshte ‘mos u tremb për këtë gjë se trupi ndryshon totalisht’. Kaluan, i dija ato 4-5 ditët e kemioterapisë dhe i thosha vajzës ‘ça ditë është sot?’, ‘e 4, hë se edhe 1 ditë, ja hodhëm’. Edhe vërtetë, ditën e 5 dhe të 6 unë çohesha në këmbë, fillonte jeta, rikuperimi, shkoja në punë, bëja mësimet me vajzat, si një ditë e zakonshme. Vetëm ato 4 ditë nuk çohesha dot, nuk e shkelja dot atë efekt aq të fortë anësor që të jepte. Pas kemioterapisë ndodh diçka shumë e çuditshme, çdo qelizë krijohet e re. Flokët janë të rinj, lëkura të bie dhe të del një e re. Ka një gjë të mirë edhe kjo kemioterapia. Tani ndihem si më e re, më e freskët.
Bieta: Kishe dhe operacionin ku duhej të hiqje të dy gjinjtë. Unë e di që ti e kishe me shumë merak. Doje një ndërhyrje që t’i hiqje dhe t’i zëvendësoje se nuk e përballoje dot që trupin tënd ta kishe pa këtë element femëror
Stela: Ishte e pamundur, doja gjoksin tim, ai gjoksi që ka ushqyer vajzën time, edhe pse nuk ishte ai perfekti, unë jam tek ato gjërat natyrale. E këtë gjë e vuajta shumë dhe e ndjej ndonjëherë sikur nuk është pjesë e trupit tim, por që këto janë dramatizime kot, sepse arrita atë që doja, unë ndihem femër dhe ndihem mirë. Operacioni ishte goxha i vështirë sepse ishte gati 6 orë. Pati disa probleme pas operacionit, protezat nuk pajtoheshin me trupin tim, pati hemorragji, është një kalvar i gjatë dhe i vështirë, por që kaloi. Ja ku jam, ishte një periudhë, më qëndruan të gjithë afër, i thashë mamit ‘sikur jam në hotel me 5 yje’, më shërbenin, më ndihmonin. Atë muaj pas operacionit isha rehat, më shërbenin, më gatuanin. U them të gjithave që çdo gjë do kalojë. Nuk diskutohet që ana mjekësore është kryesorja, por që edhe ana psikologjike luan shumë rol të fortë. Qelizat kancoregjene kanë lidhje shumë me stresin, me atë që ne mendojmë dhe e përjetojmë brenda trupit tonë. Jeta është shumë e bukur, kemi fëmijët, kemi familjen. Unë ndonjëherë them ‘çdo ditë si ditë e fundit’. Unë jam shumë mirë tani, pres flokët e mi të më rriten, të kthehem ajo Stela e dikurshme. Asgjë nuk kemi të sigurt në këtë jetë.
Bieta: Marrëdhënia me mjekun si ka qenë?
Stela: Jam shumë mirë me mjekët, ata kënaqen kur shkoj unë. I bëj që të jenë pozitivë, që të flasin në mënyrë të tillë. Kemi një raport shumë të mirë.