Një ngjarje e rëndë që tronditi opinionin publik në Shtetet e Bashkuara është rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi Eric Leif Jordahl, tashmë 26 vjeç, është shpallur fajtor për vrasjen dhe kanibalizmin e nënës së tij, Rosalie Johnson, në korrik të vitit 2020.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ngjarja ndodhi në shtëpinë e familjes pranë liqenit në Big Lake, në shtetin e Minnesota. Babai i të riut kishte njoftuar policinë pasi ishte kthyer në shtëpi dhe kishte gjetur të birin të mbuluar me gjak në garazh.

Hetimet zbuluan se 62-vjeçarja, e cila shërbente edhe si anëtare e këshillit bashkiak të Big Lake, ishte sulmuar në banesë dhe kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Në vitin 2021, Jordahl u shpall fillimisht i paaftë mendërisht për t’u përballur me gjyqin, por më pas rikuperoi aftësinë ligjore dhe procesi rifilloi në vitin 2024. Avokatët e tij kërkuan që ai të konsiderohej i pafajshëm për shkak të gjendjes së rënduar mendore.

Gjykatësja Karen Schommer e shpalli fajtor për të gjitha akuzat, përfshirë vrasjen e shkallës së parë, vepër që në SHBA parashikon dënim të përjetshëm.

Të hënën pritet seanca vendimtare, ku gjykata do të shqyrtojë nëse ai do të vuajë dënimin në burg apo do të dërgohet në një institucion të specializuar të shëndetit mendor.