Një ngjarje e rëndë ka tronditur Australinë, ku një djalë 4-vjeçar u gjet i pajetë në banesën e tij në zonën e Wyong, në veri të Sidneit. Autoritetet kanë arrestuar nënën e fëmijës, e cila akuzohet për vrasje, ndërsa po hetohet edhe mundësia e kanibalizmit. Sipas mediave australiane, 32-vjeçarja u paraqit vetë në një komisariat policie të shtunën, çka ngriti dyshime për sigurinë e fëmijës. Pas kësaj, policia kreu një kontroll në banesë, ku zbuloi trupin e pajetë të 4-vjeçarit.

Autoritetet thanë se skena e gjetur ishte aq tronditëse, sa disa prej efektivëve dhe ekipeve të emergjencës që ndërhynë patën nevojë për mbështetje psikologjike. Sipas raportimeve të mediave australiane, fëmija kishte pësuar lëndime të rënda, ndërsa policia po heton edhe pistën e mundshme të kanibalizmit pas deklarimeve të dhëna nga e dyshuara. Raportohet gjithashtu se i mituri mund të ketë qenë i vdekur prej disa ditësh përpara se të zbulohej trupi.

“Jam i përgatitur të them publikisht se ishte një skenë që shkaktoi një tronditje të jashtëzakonshme. Është konfirmuar se fëmija kishte lëndime, por nuk do të spekuloj më tej për natyrën e tyre”, deklaroi inspektori i policisë gjatë një konference për mediat. Gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, u arrestua dhe u akuzua për vrasje dhe dhunë në familje. Hetuesit sekuestruan gjithashtu automjetin e saj dhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Krimi ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa fqinjët deklaruan se nuk kishin vënë re shenja që mund të paralajmëronin një ngjarje të tillë. Sipas raportimeve, nëna dhe djali ishin zhvendosur në banesën me qira në fillim të këtij viti, pas një incidenti të dyshuar të dhunës në familje me një ish-partner të gruas. Gjykata i refuzoi 32-vjeçares lirimin me kusht, ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet më 1 shtator. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.