Dy muaj pas zhdukjes së një kitesurfisti italian në ujërat e Italisë, në brigjet e Libisë është gjetur skeleti i një personi që besohet të jetë ai. Mbetjet mortore u zbuluan më 4 korrik pranë bregdetit të Daryanah, në distriktin e Bengazit, pasi një peshkatar vuri re trupin duke lundruar në det dhe njoftoi autoritetet.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se viktima është 39-vjeçari Mimmo Piepoli nga Erchie, Itali, i cili ishte zhdukur më 1 maj gjatë një seance kitesurfingu pranë Porto Cesareo. Identifikimi zyrtar ende nuk është përfunduar dhe pritet të konfirmohet përmes analizës së ADN-së. Autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për Piepolin pasi skeleti u gjet ende i veshur me kostumin e neoprenit, ndërsa pranë tij u gjet edhe dërrasa e kitesurfingut, të cilat përputhen me pajisjet që ai përdorte.
39-vjeçari, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, kishte dalë në det së bashku me miqtë. Fillimisht ishte kthyer në breg pasi humbi balonën për shkak të erërave të forta, por më pas ishte futur sërish në ujë. Dëshmitarët thanë se e panë duke u përpjekur të mbijetonte përpara se të zhdukej nën dallgë. Pas zhdukjes u organizua një operacion i gjerë kërkimi nga Roja Bregdetare Italiane, me ndihmën e avionëve, një helikopteri të Marinës Italiane dhe zhytësve profesionistë. E vetmja gjurmë e gjetur në atë kohë ishte balona e tij e fryrë, e ngecur mes shkëmbinjve. Trupi është dërguar në spital për analizat e ADN-së, të cilat do të konfirmojnë përfundimisht identitetin e viktimës.



