Në Romë është zbuluar një rast tronditës, ku një foshnje vetëm 15 ditëshe u gjet në kushte të rënda higjieno-sanitare brenda një apartamenti të degraduar. Sipas autoriteteve, i mituri ndodhej i zhveshur, duke fjetur mbi një dyshek të vendosur në një dysheme të ndotur, i rrethuar nga mbeturina, myk dhe materiale të ndryshme të rrezikshme.

Ndërhyrja e policisë erdhi pas një hetimi të nisur nga prokuroria, pasi nëna kishte larguar foshnjën nga spitali duke shmangur trajtimet dhe kontrollet pas lindjes. Gjatë kontrollit në banesë, autoritetet zbuluan edhe një sasi të konsiderueshme droge, përfshirë marijuanë dhe hashash, me një vlerë të lartë në treg.

Partneri i gruas, një 49-vjeçar me origjinë rumune, u arrestua me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje, ndërsa nëna 31-vjeçare u procedua penalisht. Foshnja është dërguar në një strukturë spitalore për trajtim dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa priten vendimet e autoriteteve për mbrojtjen e tij. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se çifti kishte qenë më parë i përfshirë në një rast tjetër tragjik, pas vdekjes së një fëmije të tyre pak ditë pas lindjes.