Një debat për futbollin në shtëpi ka përfunduar në dhunë në Napoli, pas ndeshjes Atalanta-Napoli të transmetuar në televizion. Sipas mediave italiane, një 40-vjeçar ka reaguar me fjalë të rënda ndaj arbitrit pasi iu mohua një penallti skuadrës së tij të zemrës.
Bashkëshortja 35-vjeçare, duke menduar se ofendimet ishin drejtuar ndaj saj, ka kërcënuar fillimisht burrin që të largohej nga banesa. Pas refuzimit të tij, ajo ka marrë një palë gërshërë dhe i ka hedhur në drejtim të tij, më pas ka tentuar ta godasë me thikë kuzhine.
Burri, i plagosur, ka telefonuar fillimisht numrin e emergjencës 112 dhe më pas ambulancën. Sipas raportimeve, gruaja ka vijuar të hedhë edhe thika të tjera gjatë telefonatës, njëra prej të cilave është ngulur në mur.
Karabinierët e mbërritur në vendngjarje kanë arrestuar 35-vjeçaren për dhunë në familje dhe plagosje të rënduar. Në çantën e saj janë gjetur edhe disa thika të tjera. I plagosuri ndodhet në spital dhe fatmirësisht nuk është në rrezik për jetën.



