Një pastor në Karolinën e Jugut dhe bashkëshortja e tij janë arrestuar pas akuzave të rënda nga fëmijët e tyre të birësuar, të cilët pretendojnë se kanë qenë viktima të abuzimeve për dekada me radhë. Myron Chorbajian, 73 vjeç, pastor në një kishë në Greenville dhe gruaja e tij Kathleen, 71 vjeçe, u arrestuan në maj të vitit 2025 në Nashville, Tenesi, ndërsa merrnin pjesë në një aktivitet. Pas një procesi disa mujor, ata u ekstraduan drejt Karolinës së Jugut.

Denoncimet janë bërë në prill 2025, ndërsa fëmijët e birësuar kanë deklaruar se abuzimet kanë nisur që në vitet 1980. Në dokumentet gjyqësore, Myron Chorbajian përballet me disa akuza për dhunë dhe vepra të tjera penale ndaj të miturve.

Hetuesit pretendojnë se ai ka ushtruar dhunë fizike të përsëritur ndaj fëmijëve, përfshirë ndëshkime ekstreme, si dhe i ka detyruar të kërkonin ushqim në kazanë mbeturinash dhe të konsumonin mbetje të prishura. Po ashtu, sipas dosjes, ata janë detyruar të flinin në kushte të papërshtatshme brenda ambienteve të shtëpisë.

Një nga akuzat më të rënda përfshin edhe një incident ku, sipas dokumenteve, pastori ka qëlluar për vdekje qenin e familjes dhe më pas ka urdhëruar një prej fëmijëve ta varroste kafshën. Kathleen Chorbajian përballet me 10 akuza të lidhura me mosndërhyrje dhe mosparandalim të abuzimeve të pretenduara gjatë viteve. Autoritetet bëjnë me dije se Myron Chorbajian mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa bashkëshortes i është caktuar një garanci prej 12 mijë dollarësh. Çështja vijon të jetë nën hetim.