Një video e regjistruar nga kamerat e sigurisë në një komisariat policie në Britani tregon momentin kur David Barraclough, 46 vjeç, pranoi se kishte vrarë bashkëshorten e tij 37-vjeçare, Carolann Barraclough. Burri u paraqit në polici rreth 15 ditë pas krimit, fillimisht duke deklaruar se dëshironte të kryente vetëvrasje, përpara se të pohonte: “Unë e vrava gruan time”. Sipas dosjes së çështjes, 46-vjeçari e kishte goditur bashkëshorten me çekiç, më pas i kishte lidhur trupin me shirit ngjitës, e kishte mbështjellë me një jorgan dhe e kishte fshehur në një frigorifer, në një dhomë të banesës së tyre.

Pas vrasjes, Barraclough dyshohet se ndërtoi një histori të rreme për të fshehur krimin. Ai u dërgonte mesazhe nga telefoni i bashkëshortes vajzave të saj, duke u krijuar përshtypjen se nëna e tyre ishte ende gjallë dhe po merrte trajtim në spital për një sëmundje. Sipas prokurorisë, pas krimit, 46-vjeçari nisi të kërkonte shërbime eskortash në internet, u regjistrua në aplikacionin e takimeve Tinder dhe shpenzoi paratë e bashkëshortes në baret lokale.

Gjatë komunikimit me policinë, ai u përpoq ta paraqiste veten si viktimë, duke pretenduar se ishte një person i dobët fizikisht, të cilin askush nuk do ta besonte. David Barraclough u dënua me 21 vjet e gjashtë muaj burg nga Gjykata e Kurorës në Leeds. Ai pranoi vrasjen e bashkëshortes në gjykatë, më 9 tetor, pikërisht kur pritej të niste gjyqi ndaj tij.

Gjatë dhënies së vendimit, gjyqtari e cilësoi cinike mënyrën se si i pandehuri kishte përdorur pretendimet për abuzim dhe kishte sajuar një rrjetë gënjeshtrash për të fshehur zhdukjen e gruas. Sipas gjykatës, ai u kishte thënë fëmijëve dhe personave të tjerë se Carolann ishte e sëmurë dhe po merrte trajtim mjekësor, ndërsa vazhdonte të dërgonte mesazhe nga telefoni i saj. Madje, ai kishte lejuar edhe vajzën e saj të shkëmbente mesazhe me telefonin e nënës, duke e bërë të besonte se po komunikonte me të. Carolann Barraclough ishte 37 vjeçe dhe nënë e tre fëmijëve. Rasti ka tronditur opinionin publik në Britani, veçanërisht për shkak të mënyrës se si autori fshehu vrasjen dhe mashtroi familjarët për të mbajtur të fshehtë krimin.