Influencuesja rumune Andreea Anița ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare pas një beteje të gjatë me një formë të rrallë dhe agresive kanceri që e shoqëroi për më shumë se një dekadë. Ajo u diagnostikua për herë të parë në moshën 16-vjeçare, pasi kishte ndjerë dhimbje të forta në gju. Mjekët zbuluan se vuante nga sarkoma sinoviale, një lloj i rrallë kanceri që prek indet e buta dhe që konsiderohet shumë agresiv.
Gjatë viteve të sëmundjes, Andreea ndau në rrjetet sociale çdo hap të luftës së saj, duke dokumentuar trajtimet e vështira dhe jetën e përditshme pas ndërhyrjeve të shumta mjekësore. Pavarësisht trajtimeve intensive, kanceri u përhap në mushkëri dhe në zonën e ijeve. Në përpjekje për të shpëtuar jetën, ajo iu nënshtrua një operacioni në mushkëri dhe më vonë edhe amputimit të një këmbe.
Në muajt e fundit të jetës, gjendja e saj u përkeqësua pasi u infektua me një bakter të rrezikshëm, ndërsa sistemi i saj imunitar ishte i dobësuar nga trajtimet. Në fund, kombinimi i kancerit dhe infeksionit rezultoi fatal. Andreea kishte shpresuar të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara për një trajtim inovativ që nuk ishte i disponueshëm në vendin e saj. Pas një thirrjeje publike për ndihmë, njerëz nga e gjithë bota dhuruan rreth 1.7 milionë paund në vetëm tetë ditë për ta mbështetur.
Megjithatë, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua dhe ajo nuk arriti të udhëtonte drejt Amerikës për trajtimin e planifikuar. Në një nga mesazhet e saj të fundit në rrjetet sociale, ajo kishte treguar se ishte shtruar në spital në Bukuresht pasi mushkëritë i ishin inflamuar pas një seance kimioterapie dhe kishte vështirësi të merrte frymë pa ndihmën e oksigjenit.




