Christopher Schwarzenegger, djali i Arnold Schwarzenegger, i habiti të gjithë me transformimin e tij fizik. Ai ka folur publikisht për herë të parë rreth asaj se si luftoi me peshën e tepërt për vite me radhë dhe çfarë e shtyu të ndryshonte stilin e jetës. Si i ftuar në Samitin e parë ‘Beacher Vitality Happy & Healthy’ në Los Angeles, Christopher ndau udhëtimin e tij pesëvjeçar drejt një stili jetese më të shëndetshëm dhe më aktiv, duke theksuar se sa shumë ky ndryshim ia ka përmirësuar jetën e tij të përditshme, si fizikisht ashtu edhe mendërisht.
“Ishte një proces i gjatë dhe i vështirë”-pranoi Christopher gjatë një diskutimi në panel në të cilin morën pjesë edhe nëna e tij Maria Shriver, Kelly Osbourne dhe organizatori i eventit Jeff Beacher. Gjithçka filloi, thotë ai, në vitin 2019, ndërsa ishte në Australi.
“Isha në udhëtimin e jetës sime. Doja të eksploroja, të përjetoja diçka të re. Atëherë vura re se sa shumë pesha shtesë po ma vështirësonte kryerjen e aktiviteteve më bazike”-tha ai. Një moment specifik ishte një pikë kthese për të. Ai donte të provonte të hidhej me parashutë, por miqtë e tij e paralajmëruan se kjo nuk ishte e mundur për shkak të peshës.
“Në atë moment u përballa me realitetin, kufizimet fizike po më pengonin të bëja gjërat që doja”-shtoi ai. Problemet me peshën e kanë munduar që nga vitet e shkollës së mesme. Ai përpiqej të ushqehej më shëndetshëm, kështu që shpesh sillte në shkollë ushqime të përgatitura paraprakisht, gjë që e bënte të ndihej në siklet në atë kohë. Christopher zbuloi gjithashtu se humbi 14 kilogramë në një periudhë shumë të shkurtër kohore. “Vendosa të hiqja dorë nga buka dhe rezultatet erdhën shpejt”-deklaroi ai.
