Një tragjedi ka goditur ekipin e emisionit të njohur televiziv Deadliest Catch, pasi një nga pjesëmarrësit e tij humbi jetën gjatë xhirimeve në ujërat e rrezikshme të Detit Bering në Alaskë. Todd Meadows, 25 vjeç, ra në ujërat e akullta gjatë punës në bordin e anijes së peshkimit Aleutian Lady, ndërsa kamerat e programit televiziv po regjistronin skenën.
Sipas raportimeve, ekuipazhi ngriti menjëherë alarmin dhe trupi i tij u nxor nga uji rreth dhjetë minuta më vonë. Megjithatë përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme. Pas tragjedisë, nëna e tij Angela ka bërë një apel publik duke kërkuar që pamjet e momentit të aksidentit të mos transmetohen kurrë në televizion.
Ajo ka deklaruar se familja nuk dëshiron që vdekja e djalit të përdoret për audiencë apo përfitim financiar dhe se preferon që publiku të kujtojë Todd-in vetëm për momentet e tij në det duke bërë punën që ai e donte. Autoritetet amerikane konfirmuan se roja bregdetare u njoftua për incidentin më 25 shkurt në mbrëmje, pasi anija raportoi se një anëtar i ekuipazhit kishte rënë në det rreth 170 milje në veri të Dutch Harbour, pranë Alaskës.
Kapiteni i anijes e përshkroi ngjarjen si ditën më tragjike në historinë e anijes, duke shtuar se Meadows ishte bërë shumë shpejt pjesë e familjes së ekuipazhit dhe respektohej për përkushtimin e tij ndaj punës. Todd Meadows la pas tre djem të vegjël.




