Kanadaja do t’i bashkohet konkursit “Eurovision Song Contest” në vitin 2027, duke u bërë pjesëmarrësi i parë i ri që nga hyrja e Australisë në vitin 2015, kanë njoftuar organizatorët.

Sipas Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) dhe transmetuesit publik kanadez CBC, Kanadaja do të dërgojë një përfaqësues në edicionin e vitit 2027 të konkursit, i cili pritet të mbahet në Bullgari në muajin maj.

Organizatorët kanë theksuar se pjesëmarrja nuk kufizohet vetëm në vendet gjeografikisht evropiane, por është e hapur për të gjithë anëtarët e EBU-së, ku Kanadaja iu bashkua së fundmi si anëtare.

Presidentja e CBC-së, Marie-Philippe Bouchard, u shpreh se ky hap do t’i japë mundësi talenteve kanadeze të prezantohen në një nga skenat më të mëdha muzikore në botë.

Ndërkohë, drejtori i Eurovisionit, Martin Green, e cilësoi pranimin e Kanadasë si një shenjë se konkursi, megjithëse me origjinë evropiane, po vazhdon të zgjerohet dhe të përfshijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.

Organizatorët pritet të publikojnë më vonë gjatë vitit detaje mbi mënyrën e përzgjedhjes së përfaqësuesit kanadez, ndërsa në disa vende pjesëmarrësit zgjidhen përmes garave kombëtare televizive, ndërsa në të tjera përmes përzgjedhjes nga vetë transmetuesi.

Kanadezët kanë pasur më herët sukses në Eurovision nën flamuj të tjerë, ku më i njohuri është Céline Dion, e cila fitoi konkursin në vitin 1988 duke përfaqësuar Zvicrën.

Edicioni i fundit i Eurovisionit ka vijuar të shoqërohet me debat dhe protesta lidhur me pjesëmarrjen e disa vendeve, ndërsa organizatorët kanë raportuar rreth 130 milionë shikues në mbarë botën.