Një luftë e vërtetë për mbijetesë zhvilloi peshkatari 42-vjeçar Junior Apiuta, i cili mbeti i bllokuar në Oqeanin Paqësor për tetë ditë, pasi motori i varkës së tij të vogël të peshkimit u prish gjatë një udhëtimi për peshkim. Sipas The Guardian, peshkatari u shpëtua më 18 qershor, kur u vu re nga një avion i Forcave Ajrore të Zelandës së Re. Pak më vonë, ai u mor në bord nga një anije peshkimi, duke i dhënë fund aventurës së tij.

Aventura e tij nisi më 11 qershor. Pasi mbaroi një ndeshje volejbolli, ai shkoi në shtëpi, mori pajisjet dhe u nis për peshkim. Duke ndjekur zogjtë që fluturonin mbi det – një tregues se në zonë kishte peshq. ai u largua nga bregu. Pak kohë më vonë, motori i varkës së tij filloi të mos funksiononte siç duhej, duke punuar me ndërprerje derisa u ndal plotësisht me rënien e natës. Pa mjetet e nevojshme për ta riparuar dhe me erën që po forcohej, ai madje mendoi të hidhej në det për të notuar drejt ishullit, por shpejt e kuptoi se nuk do t’ia dilte. Kështu, zgjodhi të qëndronte në varkë, duke parë dritat e bregut që zhdukeshin gradualisht.

Ditët në vijim rezultuan veçanërisht të vështira. Apiuta u përball me erëra të forta, valë të mëdha, reshje të vazhdueshme shiu dhe temperatura të ulëta. Siç e përshkruan ai, valët e hodhën dy herë në det, por arriti të rikthehej në varkë. “Valët ishin të mëdha”, tha ai. Për të mos u rrëmbyer nga deti, ai u ul sa më poshtë që mundi, ndërsa njëkohësisht hiqte vazhdimisht ujin që po mbushte varkën. Furnizimet e vetme që kishte me vete ishin dy shishe me ujë, një kovë, pajisjet e peshkimit, një frigorifer portativ dhe një çarçaf.

Për të mbijetuar, ai hante sasi të vogla peshku të gjallë që e kapte me pajisjet e tij dhe mblidhte ujë shiu në kovë për të pirë. Natën, përdorte çarçafin dhe frigoriferin portativ për t’u mbrojtur sa më shumë që mundej nga i ftohti. Ai tregon se gjatë gjithë kësaj kohe nuk pushoi së luturi. Pavarësisht pasigurisë se ku po e çonin rrymat e detit, ai thotë se nuk e humbi kurrë shpresën se do të shpëtohej. Ditën e tretë, ai pa dritat e një anijeje peshkimi dhe u përpoq të lundronte drejt saj, por erërat e forta e shtynë larg dhe anija u zhduk nga fusha e tij e shikimit.

Ditën e tetë, ai dëgjoi zhurmën e një avioni që fluturonte mbi zonë dhe besoi se shpëtimi po afrohej. Një avion i Forcave Ajrore të Zelandës së Re e gjeti varkën e tij dhe njoftoi anijet e peshkimit që ndodheshin në zonë. Pak më vonë, një anije peshkimi iu afrua. Apiuta fishkëllente pa pushim derisa një anëtar i ekuipazhit vuri re praninë e tij dhe drejtoi një elektrik dore drejt varkës. Pas shtatë netësh dhe tetë ditësh i vetëm në det, aventura e tij mori fund.

Pasi hipi në anije, ai u la, hëngri dhe menjëherë kontaktoi familjen. Telefonata e parë ishte për partneren e tij, së cilës i tha: “Dashuria ime, jam mirë.” 42-vjeçari u transferua në Zelandën e Re dhe pritet të kthehet së shpejti në Ishujt Kuk. Ai thotë se do të vazhdojë të punojë si peshkatar, por tashmë me më shumë kujdes. Njëkohësisht, ai u bën thirrje të gjithë atyre që dalin në det të kenë gjithmonë me vete një elektrik dore, jelek shpëtimi dhe veshje të papërshkueshme nga uji, si edhe të përgatiten siç duhet para çdo daljeje.