Aktori legjendar i njohur për rolin e tij në “Die Hard”, Bruce Willis, është parë në një dalje të rrallë publike në Los Angeles të enjten, duke shëtitur buzë detit me kujdestarin e tij.

“Daily Mail” shkruan se ky ishte një moment i veçantë për 70-vjeçarin, i cili po lufton me demencën frontotemporale, një formë e demencës që ndikon në personalitetin dhe aftësitë gjuhësore.

Ylli i Hollywood-it, që u tërhoq nga aktrimi në vitin 2022 për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij, e shfaqi një humor të mirë gjatë shëtitjes, duke buzëqeshur në disa momente.

Aktori, i cili tashmë jeton në një shtëpi të veçantë me një kat ku ka një ekip kujdesi 24/7, u shfaq dorë për dore me kujdestarin e tij teksa ecnin krah njëri-tjetrit.

70-vjeçari mbante dorën e kujdestarit të tij dhe përdorte kangjellat për mbështetje, duke treguar pasiguri në ecje.

Aktori dhe kujdestari i tij shijuan një bisedë pranë oqeanit, ndërsa Willis ishte i veshur me një bluzë gri të errët, pantallona kaki dhe një kapelë bejsbolli blu, duke mbajtur syze dielli të zeza.

Kujtojmë se në vitin 2023, familja e Willis njoftoi se ai kishte marrë diagnozën e demencës frontotemporale, një formë e rëndë dhe progresive e demencës.