Reperi i njohur Drake ka tërhequr vëmendjen e fansave duke ekspozuar një varëse ari me simbolin e shqiponjës dykrenare shqiptare, të kombinuar me varësen karakteristike me logon e bufit të markës së tij OVO. Zgjedhja e këtij simboli ka nxitur diskutime për një kuptim të mundshëm pas tij.

Shqiponja dykrenare është një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar, e lidhur historikisht me flamurin dhe simbolikën e shtetit shqiptar. Në disa interpretime, dy kokat janë lidhur edhe me idenë e bashkimit mes gegëve në veri dhe toskëve në jug të vendit.

Por vëmendja është përqendruar edhe te një teori më e veçantë, që lidhet me marrëdhënien muzikore mes Drake dhe reperit Future. Disa fansa pyesin nëse simboli mund të jetë një referencë simbolike ndaj bashkimit të tyre, duke e lidhur Drake me veriun, për shkak të origjinës së tij nga Toronto, ndërsa Future me jugun, përfaqësues i Atlantës.

Drake shfaqet me simbolet shqiptare për të disatën herë. Në një projekt të mëparshëm, ai mbante veshur një xhaketë të kuqe, e cila kishte në shpinë shqiponjën dykrenare. Deri më tani, artisti me famë botërore nuk ka dhënë asnjë shpjegim të arsyeve përse i mban simbolet shqiptare, të cilat në çdo rast priten me entuziazëm nga fansat në Shqipëri dhe në trojet etnike.