Një gjykatë ruse dënoi me pesë vjet burg një shtetas amerikan, i cili kaloi kufirin nga SHBA drejt Rusisë me jaht për të takuar një grua ruse që e kishte njohur në internet. Vendimi u mor pasi në jahtin e tij u gjet një armë zjarri.

Burri, i identifikuar si Charles Wayne Zimmerman, pranoi fajësinë, por deklaroi para gjykatës se armën e mbante për sigurinë personale dhe se nuk ishte në dijeni të ligjeve ruse për armëmbajtjen. Zimmerman u nis në korrik të vitit 2024 nga Karolina e Veriut, mbërriti fillimisht në Portugali dhe më pas, pasi përshkoi Mesdheun dhe Detin e Zi, arriti në portin rus të Soçit në qershor 2025.

Ai dëshmoi se kishte njohur në internet një grua nga Kazan dhe kishte vendosur të udhëtonte me jaht për ta takuar. Megjithatë, sipas gjykatës, ai nuk kishte studiuar legjislacionin e Federatës Ruse dhe kishte supozuar se armët që ndodheshin në jaht mund të qëndronin aty pa pasoja ligjore.

Gjykata e Soçit, në rajonin e Krasnodarit, e shpalli fajtor dhe e dënoi me pesë vjet heqje lirie. Pamjet e publikuara nga shërbimi gjyqësor tregojnë një pushkë Remington, municionet e sekuestruara dhe Zimmermanin ulur me një shishe uji në dorë. Agjencia Reuters bëri të ditur se nuk ka mundur të kontaktojë Zimmermanin për një koment.