Një menaxher shitjesh 45-vjeçar në Japoni, Masahiro Yamanaka, është arrestuar në Tokyo, nën akuzën se ka vrarë shefin e tij dhe njëkohësisht ish-mikun, Akihiro Kawashima, pas një konflikti që lidhej me uljen e bonusit të fundvitit. Sipas Policisë japoneze, ngjarja dyshohet se ka ndodhur në apartamentin e viktimës.

Hetuesit thonë se Yamanaka e ka sulmuar Kawashimën pasi ishte zemëruar për shkurtimin e shpërblimit financiar, duke përdorur fillimisht sprej insekticidi dhe më pas një mjet prerës. Viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Autoritetet bëjnë me dije se pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i krimit dhe raportohet se ka dalë për të pirë alkool, përpara se të arrestohej nga Policia.

Hetimet paraprake tregojnë se mes dy burrave kishte pasur marrëdhënie miqësore në të kaluarën, por tensionet ishin rritur për shkak të çështjeve financiare në punë. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe motivet e sakta të krimit.