Një 36-vjeçare nga Liverpooli vendosi të mos hiqte dorë nga dasma e ëndrrave në Itali, edhe pse i fejuari e braktisi vetëm një javë para ceremonisë. Katherine Jones vijoi e vetme me festën në një rezidencë të shekullit XVIII në Toskanë, duke e kthyer fundin e lidhjes në një fundjavë festive me familjarët dhe miqtë. Çifti kishte qenë bashkë për gati shtatë vjet, ndërsa propozimi për martesë kishte ndodhur në Tajlandë. Sipas Katherine, vetëm një javë para dasmës, partneri i komunikoi vendimin dhe më pas u largua për punë në jug.

Pavarësisht tronditjes fillestare, ajo vendosi të mos humbiste muajt e organizimit dhe mijëra eurot e shpenzuara. Në vend të fustanit të nusërisë, të cilin nuk e mori nga dyqani, veshi fustanin e planifikuar për festën e mbrëmjes. Programi vijoi pothuajse siç ishte parashikuar, pati darka nën dritën e qirinjve, muzikë, kërcime, fjalime nga motrat dhe momente pranë pishinës me pamje nga fshatrat e Toskanës.

Në vend të dhuratave të dasmës, të ftuarit i dhanë para për udhëtimin e planifikuar pas ceremonisë. Katherine më pas udhëtoi drejt Caprit dhe Salernos së bashku me nënën e saj, duke e quajtur udhëtimin “mummymoon”. Historia e saj u bë virale edhe në TikTok. Një video me mbishkrimin “POV: Shpëtove nga një divorc” ka kaluar 7.5 milionë shikime, duke marrë mijëra reagime mbështetëse.