Një nga çiftet më të dashura të muzikës latine duket se i ka dhënë fund historisë së tyre të dashurisë. Karol G dhe Feid nuk janë më bashkë, pas rreth tre vjetësh lidhje, një ndarje që ka ardhur në heshtje dhe pa drama publike. Sipas TMZ, artistja 34-vjeçare e hitit “Mañana Será Bonito” dhe këngëtari 33-vjeçar janë ndarë disa muaj më parë, në mënyrë krejtësisht paqësore.

Burime pranë çiftit bëjnë të ditur se ndarja ka qenë miqësore dhe se dy artistët kanë ruajtur respektin dhe marrëdhëniet e mira mes tyre, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional. Karol G dhe Feid u lidhën për herë të parë në vitin 2021, pas bashkëpunimit në këngën “FRIKI”, videoklipi i së cilës numëron sot mbi 253 milionë shikime dhe konsiderohet momenti që ndezi shkëndijën mes tyre.

Megjithatë, pavarësisht famës dhe interesit të madh mediatik, çifti zgjodhi për një kohë të gjatë ta mbante lidhjen larg vëmendjes publike. Paraqitja e tyre e parë zyrtare si çift në tapetin e kuq ndodhi vetëm vitin e kaluar, në premierën e dokumentarit të Karol G në Netflix, “Tomorrow Was Beautiful”, një moment që u interpretua si konfirmim i plotë i romancës së tyre.

Vetë Karol kishte folur hapur për lidhjen me Feid gjatë një interviste në emisionin “Today” në maj të vitit 2025, duke e përshkruar marrëdhënien si mbështetëse dhe të rëndësishme për rrugëtimin e saj personal dhe artistik. Aktualisht, as Karol G dhe as Feid nuk kanë reaguar publikisht për ndarjen.