Një grup i ri kriminal i lidhur me kartelin Sinaloa në Meksikë ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve amerikane. “Los Rugrats” dyshohet se është një fraksion i dhunshëm i rrjetit kriminal, ndërsa në qendër të hetimeve është 30-vjeçari Carlos Paez Pereda, i njohur si “Carlitos Rugrats”.
Paez Pereda është shpallur në kërkim nga FBI dhe DEA. Autoritetet amerikane e akuzojnë për narkoterrorizëm, mbështetje materiale për terrorizmin dhe trafikimin e sasive të mëdha të fentanilit, kokainës dhe metamfetaminës drejt Shteteve të Bashkuara. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ai konsiderohet lideri i dyshuar i “Los Rugrats”.
Emri i grupit vjen nga seriali i animuar “Rugrats”, por aktiviteti që u atribuohet anëtarëve të tij është shumë larg botës së fëmijëve. Sipas autoriteteve amerikane, grupi është përfshirë në dhunë, rrëmbime dhe trafik droge.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen është mënyra se si personat e dyshuar për lidhje me grupin përdorin rrjetet sociale. Në fotografi të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë shfaqen armë të personalizuara, përfshirë një pistoletë të artë me emrin “Paez” të gdhendur mbi të.
Rasti i “Los Rugrats” shihet si pjesë e një ndryshimi më të gjerë në mënyrën se si krimi i organizuar komunikon dhe krijon imazh. Persona të lidhur ose të dyshuar për lidhje me kartelet shfaqin armë, makina, para dhe një stil jetese luksoz në Instagram, TikTok dhe platforma të tjera.

