Dy persona janë arrestuar pas vdekjes së Jordan James Parke, i cili njihej në mediat britanike si një imitues i Kim Kardashian dhe ishte pagëzuar me nofkën Lip King. 34-vjeçari ndërroi jetë në zonën e Canary Wharf, në Londër. Policia u njoftua nga shërbimi i ambulancës për një burrë të pavetëdijshëm në Lincoln Plaza. Oficerët mbërritën në vendngjarje, por i riu u shpall i vdekur në vend. Familjarët janë informuar për ngjarjen.
Një burrë 43 vjeç dhe një grua 52 vjeç u arrestuan më 20 shkurt nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia. Të dy janë liruar me kusht ndërsa hetimet vijojnë. Vdekja aktualisht po trajtohet si e pashpjegueshme dhe autoritetet po presin rezultatet e autopsisë për të sqaruar shkaqet. Policia po shqyrton informacionet që sugjerojnë se viktima mund të ketë qenë duke iu nënshtruar një procedure kozmetike përpara se të ndërronte jetë.
Lajmi për ndarjen nga jeta u konfirmua nga motra e tij përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale, ku familja e përshkroi si të tronditur dhe zemërthyer nga humbja. Parke ishte i njohur për pasionin e tij ndaj familjes Kardashian dhe për ndërhyrjet e shumta estetike që kishte kryer ndër vite. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.



