I ftuar në episodin e radhës të “Flet”, ka qenë kirurgu plastik Robert Renxa. Ai ka folur më shumë për ndërhyrjet estetike, çfarë preferojnë më shumë shqiptarët, por dhe duke treguar disa të pathëna…

Mendon se po jetojmë ne kohën e gjërave sipërfaqësore dhe a është estetika kryesorja?

Kjo është një pyetje shumë e thellë, por faktikisht ne nuk po jetojmë në epokën e gjërave sipërfaqësore. Ne po jetojmë në epokën e rrjeteve sociale që janë një gënjeshtër, ku secili mund të shprehë mendimin e vet, pa ditur dhe pa ngacmuar gjërat në thellësi. Plus që rrjetet sociale janë fallco, ashtu siç janë dhe filtrat, përpunimet e fytyrës. E di çfarë urrej? Ata njerëz që përdorin filtra pa fund.

Ndërhyrjet estetike, a rrezikojnë të shndërrohen në një obsesion?

Ndërhyrjet estetike janë obsesion. Ti ke personazhe publike të cilat prezantojnë emisione shumë të suksesshme dhe ti nuk e kupton ku fillon një personazh, ku mbaron një tjetër. Sa shiringa filler kishte futur ditën e parë tek episodi i parë i emisionit, ndërkohë që ka marrë një kritikë negative të tmerrshme të përsonit. E ke kuptuar që ne kemi kompleks inferioriteti si popull? Kështu që dhe pjesa e ndërhyrjeve mund të krijojë një obsesion shumë të rëndë, ku ti sa më shumë të bëhesh, aq më shumë të hipën vetëvlerësimi dhe nga ana tjetër ti ndihesh bosh.