Nga data 12 shtator në orën 17:00 do të rikthehet në ekranin e Top Channel një nga emisionet më të ndjekura, “Fshatrat e Shqipërisë”.


E ftuar në emisionin “Shqipëria Live” ishte Ilnisa Agolli, e cila cilësohet si vajza nga qyteti që preferon fshatrat. Gazetarja e njohur u shpreh se do ta nis programin me Tushemishtin dhe se aty ka takuar një peshkatar.



Ilnisa zbuloi se i pëlqen fshati pasi aty fshihen gjërat e thjeshta. “Udhëtimi në shumë raste është i vështirë, por kur takon këta njerëz e më pas kthehesh në qytet, t’i vjen ndryshe. Më bën më të mirë thjeshtësia”, tha ajo.


“Të ulësh e të qërosh fasule me fshatarët apo edhe gjëra të tjera, këto janë thjeshtësia. Këtë javë isha në Tushemisht. Pogradeci dhe Korça ishin me pak raste nga Covid-19 dhe ishin të mbushur me vizitorë”, tha ajo.



Ndërsa e pyetur se kë fshat dëshiron që të vizitojë, Ilnisa u shpreh: “Është një zonë në veri që nuk kam qenë kurrë dhe që do të shkoj javën tjetër. Janë të shumtë njerëzit që më sugjerojnë fshatra të pafund”.